Ministri i Financave dhe Ekonomisë z. Arben Ahmetaj dhe drejtori i Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar z. Hans-Jürgen Cassens nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për zbatimin e projektit “Këshillimi për migracionin”, projekt që është pjesë e Programit Global “Migracioni për Zhvillim” (PME) të autorizuar nga Ministria Federale gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ).

Objektivi i këtij projekti është lufta kundër migracionit të parregullt, duke ofruar informacion për rrugët e ligjshme të migracionit të punës dhe duke informuar për arsimin dhe formimin profesional, si dhe perspektivat e tregut të punës në Gjermani dhe në Shqipëri.

Programi parashikon që Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë do t’i ofrojë GIZ-it deri në 1,5 milionë euro për kontributin gjerman. Nëpërmjet këtij projekti synohet të arrihet këshillimi i migrantëve për rrugët e ligjshme të migracionit të punës, arsimin dhe formimin profesional, si dhe perspektivat e tregut të punës në Gjermani dhe në Shqipëri; botimi i informacionit për emigrimin në Gjermani dhe rregullat e aksesit në tregun e punës gjerman për shtetasit e vendeve të treta; ngritja e kapaciteteve të Sporteleve të Migracionit të ShKP për sa i përket informimit për kanalet e migracionit për punësim; hartimi i një Strategjie për marrëdhëniet me publikun për Sportelet e Migracionit të ShKP-së; hartimi i një Dokumenti strategjik për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë për politikbërjen për migracionin e punësimit të orientuar ndaj zhvillimit, etj.

Nga zbatimi i këtij projekti, me afat deri më 30 Nëntor 2020, synohet që 2000 persona do të këshillohen çdo vit për migracionin dhe punësimin në qendrat e këshillimit.

KY POSTIM ËSHTË I DISPONUESHËM EDHE NË: English