Komisioni i Përbashkët i bashkëpunimit ekonomik Shqipëri-Kroaci zhvilloi Sesionin e tij të 5-të, më 15 Maj 2018, në Zagreb të Kroacisë, nën kryesimin e Zv.Ministres së Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë, znj. Albana Shkurta dhe Ndihmësit të Ministrit të Ekonomisë, Sipërmarrjes dhe Artizanatit të Kroacisë, z. Zvonimir Novak.

Gjatë punimeve të sesionit, pala shqiptare dhe ajo kroate shkëmbyen informacione mbi perspektivat e bashkëpunimit ekonomik dypalësh, dhe në mënyrë të veçantë bisedimet u drejtuan në fushat e industrisë, transportit dhe infrastrukturës, energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit, turizmit, bujqësisë, financës, zhvillimit urban dhe planifikimin hapësinor, shkencës, shëndetësisë, mbrojtjes sociale, standardizimit dhe integrimit në BE.

Të dy delegacionet vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira politike mes qeverive të dy vendeve tona të cilat janë bazuar në miqësinë tradicionale historike mes dy popujve dhe kombeve. Dialogu politik dhe marrëdhëniet mes vendeve dëshmohen nga numër i konsiderueshëm vizitash e takimesh të niveleve të larta.

Pala kroate shprehu angazhimin e saj në favor të proceseve integruese të Shqipërisë në BE dhe rikonfirmoi angazhimin e plotë të saj për të intensifikuar bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat në interesin më të mirë të dy vendeve.

Pas përfundimit të Sesionit, bashkëkryetarët e Komisionit të Përbashkët nënshkruan Protokollin e bashkëpunimit dypalësh dhe shprehën angazhimin për të vijuar mbledhjen e Sesionit të VI-të të Komisionit të përbashkët ekonomik në Tiranë.

I pranishëm në takim ishte dhe Ambasadori Shqiptar në Kroaci, z. Ilir Melo

KY POSTIM ËSHTË I DISPONUESHËM EDHE NË: English